Dita evropiane e terapisë së të folurit dhe gjuhës

Dita evropian e terapisë së të folurit dhe gjuhës, që sivjet i kushtohet komunikimit të augmentuar (përforcuar) dhe alternative po shënohet edhe në Kosovë me aktivitete të shumta. Me këtë rast po sjellim të shqipëruar një përmbledhje të AAC-së të publikuar në ueb faqen http://www.cplol.eu/2-uncategorised/68-european-day-2018-aac.html:

Komunikimi i augmentuar dhe alternativ

Susan Balandin, Shefe inauguruese për paaftësi dhe përfshirje, Universiteti Deakin, Australi

Fëmijët dhe të rriturit që kanë paaftësi të rënda të të folurit dhe/apo gjuhës përjetojnë një pamundësi komunikimi që mund të shpije në përjashtim social, margjinalizim dhe humbje të identitetit. Paaftësia e rëndë e komunikimit mund të ndikojë në përdorimin dhe/apo kuptimin e gjuhës dhe kufizon pjesëmarrjen me të tjerët dhe përfshirjen në komunitet. Ata me mungesë të plotë apo nivel të ulët të të folurit funksional apo me nevoja komplekse të komunikimit (NKK) (Balandin, 2002) ka gjasa që të përfitojnë nga komunikimi i augmentuar dhe alternativ (KAA) për përkrahjen e komunikimit të tyre dhe sigurimin e mundësisë së tyre për pjesëmarrje në komunitetin e tyre të dëshiruar (The Speech Pathology Association of Australia, 2012).

Ne të gjithë përdorim KAA kur gjestikulojm, shkruajmë apo përdorim shprehjet e fytyrës por individët me NKK kanë nevojë për KAA, për shembull, dërrasa më piktura, dërrasa me letra, objekte, pajisje prodhuese të zërit si mënyrë primare të komunikimit të tyre. Nevojat komplekse të komunikimi mund të jenë pjesë e paaftësitë së përjetshme (p.sh., paralizës cerebrale, paaftësisë intelektuale, çrregullimeve të spektrit të autizmit); një paaftësie të fituar (p.sh., insulti cerebral, lëndimi traumatik i trurit); një çrregullim degjenerativ (p.sh., sëmundja e neuronit motorik, sëmundja Parkinson); apo mund të jetë e përkohshme, (p.sh., sindromi Guillain-Barre). Secili që ka NKK është kandidat për KAA pavarësisht shkathtësive apo aftësive të tij/saj. Për më tepër, nuk ka dëshmi se intervenimet e KAA vonojnë fillimin të folurit përkundrazi disa dëshmi që këto mund të lehtësojnë zhvillimin e gjuhës për disa individë (p.sh., njerëzit me çrregullime të spektrit të autizmit) (Millar, Light, & Schlosser, 2006).

Intervenimet e KAA zakonisht janë parë si fushë logopedike. Sidoqoftë, çfarëdo intervenimi duhet të jetë multi-disiplinar dhe të përfshijë bashkëpunimin me të tjerët, përfshirë ergoterapeutët, mësuesit, psikologët, inxhinierët, personin në nevojë për KAA, pjesëtarët e familjes dhe punëtorët përkrahës (Beukelman & Mirenda, 2013; Chung & Stoner, 2016). Që nga fillimi i tij në vitet e 1970-ta, fusha e KAA vazhdon të përparojë dhe të ndryshojë shpejt. Rrjedhimisht, është e rëndësishme që logopedët të përvetësojnë një qasje praktike të mbështetur në dëshmi dhe të vlerësojnë intervenimet e tyre, përfshirë qëllimet e tyre, në mënyrë të rreptë. Mund të jetë e vështirë për një logoped që të mbetet në trend me hulumtimet dhe të ushtrojë profesionin në një fushë të tillë kaq të ndryshueshme; kështu që, nuk pritet që të gjithë logopedët  të bëhen ekspert të KAA, të përditësuar me hulumtimet e fundit dhe të ushtrojnë profesionin.

Megjithatë, është obligim i fushës tonë që të gjithë logopedët të kuptojnë rëndësinë e KAA dhe të kenë njohuritë themelore për vlerësimin dhe intervenimet e KAA (The Speech Pathology Association of Australia, 2012). Gjithashtu, është me rëndësi që logopedi të dijë kur dhe si të referojë tek një specialist i përshtatshëm apo qendër burimore, nëse nuk është në gjendje që të zhvillojë me kompetencë shërbimet e kërkuara për t’u siguruar që njerëzit të përfitojnë prej KAA. Komunikimi është më shumë sesa shprehje e dëshirave dhe nevojave, ky është pjesë përbërëse e jetës, një e drejtë njerëzore (United Nations Convention on the Rights of Persons with Disabilities 2006). Komunikimi është i rëndësishëm për të gjitha interaksionet, përfshirë lojën, transferimin e informatave, afërsinë sociale, të mësuarit dhe botën e telekomunikimit dhe media sociale (Light & McNaughton, 2012). Logopedët janë pjesë përbërëse e përpjekjes për sigurimin mënyrave të ndryshme të KAA të përshtatshëm që përmbushin nevojat e komunikimit të tyre për ata që kërkojnë, pavarësisht aftësisë së tyre.

Ju lutem pëlqeni faqen tonë për më shumë:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Name *
Email *
Website