Problemet e gjuhës

Neglizhimi në mirëbesim apo nga mosdija, stigma dhe paragjykimi i ushqyer me traditën dhe kulturën individuale dhe komunitare, mungesa e mbështetjes institucionale dhe profesionale dhe jo rrallë pengesat financiare janë arsyet që prindërit injorojnë problemet e gjuhës së fëmijëve të tyre në vazhdimësi deri sa bëhet tepër vonë për korrigjimin e tyre.

Për më keq, ka raste kur profesionistë përgjegjës si mësimdhënës apo edhe mjekë në vend të udhëzimit për vlerësim të problemeve gjuhësore apo të të folurit të fëmijëve, qetësojnë rrejshëm prindërit duke i udhëzuar që të presin ose edhe përqeshin brengën e tyre.

Në anën tjetër qëndrojnë mësimdhënësit që udhëzojnë prindërit të merren më shumë me fëmijët e tyre sepse ata duhet të merren  me mbi 30 nxënës të tjerë dhe nuk mund të merren vetëm më fëmijën e tyre. Fatkeqësisht ka të atillë që madje as qëndrimin në klasë nuk mund t’ua sigurojnë dhe deklarohen të pafuqishëm për të luftuar përqeshjen dhe ngacmimin e fëmijës nga moshatarët e vet për shkak të problemeve të gjuhës apo të të folurit. Kjo është e dhimbshme dhe për një shoqëri njerëzore e papranueshme.

Prandaj, prindërit duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë identifikimit të hershëm të problemeve të gjuhës dhe të folurit të fëmijës së vet. Kjo është shumëfish më e rëndësishme në erën e komunikimit virtual kur edhe ata që zotërojnë shkathtësitë e mira të gjuhës dhe të folurit rrezikojën t’i stërkeqin ato në mungesë të komunikimit të mirëfilltë dhe të zakonshëm.

Gjuha është formë e sjelljes sociale e formësuar dhe mbajtur nga komuniteti verbal. Dëmtimi i gjuhës paraqitet kur ekziston një mungesë e rëndësishme që nuk është në përputhje me moshën kronologjike në njërën apo më shumë se një nga fushat vijuese: mungesa në shkathtësitë e gjuhës receptive për të marrë informata, mungesa në shkathtësitë e gjuhës ekspresive për të komunikuar informata, mungesa në shkathtësitë e përpunimit (perceptimin auditiv) për organizimin e informatave. Në mënyrë specifike, një dëmtim gjuhësor mund të përfshijë mungesa në një apo më shumë komponenta të gjuhës; fonologji, morfologji, sintaksë, semantikë dhe aplikim praktik (retorikë). Morfologjia është studim i strukturës së fjalës dhe përfshin përdorimin e strukturës gramatikore siç është koha e tashme, koha e kaluar e thjeshtë/shumësin, përemrat pronësor, etj. Sintaksa është organizimi i fjalëve për të krijuar fjali me kuptim. Semantika është domethënia e fjalëve dhe përfshin zhvillimin e fjalorit. Fëmijët me çrregullim të semantikës së gjuhës mund të kenë vështirësi me emërtimin e kategorive, domethënien e shumëfishtë të fjalëve, gjuhën figurative, antonimet/sinonimet, etj. Retorika është përdorimi i gjuhës në situata sociale. Kjo përfshin qëndrimin në temë, pritjen e radhës për të folur, etj.
Gjuhën e shohim në dy aspekte – gjuhë ekspresive dhe receptive.
Në përgjithësi, gjuha receptive zhvillohet para asaj ekspresive. Për fëmijën që të aftësohet për të komunikuar dhe mësuar, nevojitet që të aftësohet për të kuptuar gjuhën e folur. Një fëmijë do të ketë vështirësi për të folur apo për t’u përgjigjur në pyetje nëse nuk është në gjendje që të kuptojë atë që është thënë. Për këtë arsye, është me rëndësi që fëmijës t’i jepet mundësia për të zhvilluar shkathtësitë gjuhësore receptive para se të përqendrohemi në shkathtësitë e tyre ekspresive. Sigurimi i mjedisit të pasur gjuhësorë për fëmijën është mënyra më e mirë për të zhvilluar gjuhën receptive.

Gjuha ekspresive

Gjuha ekspresive i referohet aftësisë për të përcjellur porosinë përmes fjalëve të shprehura. Fjalori ekspresiv i fëmijës do të vazhdojë të rritet deri sa ai mëson si të përdorë fjalët e reja. Përkrahni përpjekjet e fëmijës tuaj që të provojë të përdorë fjalët e reja duke qenë se kjo rritë vetëbesimin e tij.

Gjuha receptive

Gjuha receptive ka të bëjë me aftësinë për të kuptuar gjuhën e folur. Fëmijët do të kuptojnë shumë më tepër fjalë sesa që do të jenë në gjendje që të përdorin dhe kjo shpesh quhet fjalor receptiv. Ndihmoni ngritjen e fjalorit receptiv të fëmijës suaj duke e ekspozuar atë në sa më shumë fjalë të reja.

Sipas Departamentit të Karolinës Veriore për Udhëzimin Publik “shumë nxënës, përfshirë ata me paaftësi zhvillimore, sidomos, ata që janë klasifikuar si mendërisht të kufizuar, shfaqin kufizime në shkathtësitë e tyre komunikuese ekspresive dhe/apo receptive. Jo të gjithë këta nxënës janë konsideruar që kanë dëmtim të të folurit-gjuhës dhe kanë nevojë për intervenim terapeutik prej logopedit. Logopedi duhet ë shqyrtojë efikasitetin e ndërhyrjes terapeutike për secilin nxënës dhe duke përcaktuar këtë duhet të marrë parasysh nëse përfshirja e nxënësit në shërbime logo-terapeutike do të ndryshojë dukshëm aftësitë e tij/saj për të komunikuar.” Fëmijët me dëmtime kognitive nuk duhet të pritet që të kenë shkathtësi gjuhësore të njëjta me moshatarët e vet me funksion më të lartë kognitiv. Këta jo vetëm që do të kenë vështirësi akademike por edhe vështirësi gjuhësore. Logopedi duhet të shqyrtojë nëse shkathtësitë gjuhësore janë nën nivelin e funksionimit kognitiv dhe kanë nevojë për përmirësim, ose nëse niveli kognitiv e kufizon fëmijën në zhvillimin e shkathtësive gjuhësore të nivelit më të lartë. Fëmijët në shkollë të mesme dhe të lartë që janë testuar për gjuhë dhe ata që kanë arritur rezultate që tregojnë vonesë gjuhësore mund të kenë humbur etapat kritike të zhvillimit gjuhësorë. Në përgjithësi, sa më vonë që të fillojë intervenimi aq më pak ka gjasa që të arrihet përmirësimi. Me këta fëmijë është e rëndësishme që të shqyrtohet nëse nevojat e tij/saj mund të përmbushen në programin e përgjithshëm të arsimimit me shfrytëzimin e përkrahjes dhe shërbimeve.

Krejt në fund, vlerësimi logopedik i fëmijës mund të parandalojë apo të paktën të zbusë shumë probleme komunikimi në të ardhmen. Në vend të pendimit të prindërve të vonuar dhe mësuesve të pafuqishëm për të luftuar ngacmimin në mësim, le të zërë vend një intervenim i hershëm logo-terapeutik që i siguron një vend të merituar në shoqëri fëmijës suaj.

Ju lutem pëlqeni faqen tonë për më shumë:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Name *
Email *
Website