Përkrahja e shpejtë është më e mira

Duke qenë se fëmijët me të folur apo gjuhë të vonuar nuk mund të marrin pjesë plotësisht gjatë aktiviteteve dhe bisedave, ata mund të mbeten edhe më prapa nëse nuk iu ofrohet ndihma për të cilën kanë nevojë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të mos pritet nëse shihni ndonjë shenjë se zhvillimi i komunikimit të fëmijës suaj mund të jetë i vonuar. Disa prindër këshillohen që fëmijët e tyre do ta “tejkalojnë këtë”, dhe se ata thjesht duhet të presin që fëmija i tyre të zë hapin me moshatarët e vet. Ndonjë herë në mirëbesim e shpesh nga informatat e pamjaftueshme një inkurajim të tillë jo qëllimisht të dëmshëm mund ta bëjnë edhe pediatër e mjekë me përvojë. Por kjo qasje nënkupton një kohë tepër të shtrenjtë dhe të vlefshme që mund të humbet gjatë fazës kritike të të mësuarit! Nëse fëmija me vonesë merrë përkrahje shtesë nga të rriturit e rëndësishëm në jetën e tij, ai mund të shënojë arritje të konsiderueshme në shkathtësitë e tij të komunikimit dhe do të krijojë themelet e duhura për të mësuar të mëtutjeshëm. Prandaj, intervenimi i hershëm dhe përkrahja e shpejtë nënkupton angazhimin e përkushtuar dhe të qëndrueshëm jo vetëm të logopedit por edhe të prindërve/kujdestarëve që kalojnë pjesën më të madhe të kohës me fëmijën. Thënë thjeshtë, sa më herët që fëmija të marrë ndihmën për të cilën ka nevojë, aq më të mira do të  jenë rezultatet e tij gjuhësore. Hidhni edhe një herë një shikim ETAPAVE ZHVILLIMORE TË TË FOLURIT DHE GJUHËS (shkrimet e mëhershme) dhe vëreni nëse fëmija juaj është prapa në ndonjërën nga këto etapa. Mund të jetë e dobishme që të shqyrtohet mundësia e kërkimit të ndihmës profesionale.

Si t’i ndihmohet fëmijës me vonesë gjuhësore

Zakonisht, një logoped do të mund të fokusoj dhe orientojë përkrahjen për fëmijën me vonesë gjuhësore. Natyrisht nuk ka një masë apo trajtim që funksionon për secilin prandaj është e domosdoshme që ne të vlerësojmë problemet specifike të fëmijës dhe të fokusohemi në mësimin e secilës shkathtësi që i mungon fëmijës. Varësisht nga vlerësimi, ne do të përdorim testet gjuhësore të përpiluara për të bërë fëmijën tuaj që të përdorë fjalë apo për të parë se si përgjigjet fëmija juaj në kërkesa, urdhra apo pyetje. Po ashtu do t’iu shtrojmë disa pyetje edhe juve si prind/kujdestarë. Përmes tyre do të përpiqemi të mësojmë se si kupton dhe si e përdorë gjuhën fëmija juaj në shtëpi. Nëse dyshojmë për vonesë gjuhësore, mund t’iu sygjerojmë disa sesione terapeutike, ose do t’iu mësojmë teknikat dhe strategjitë që duhet t’i përdorni në shtëpi. Disa nga teknikat që mund të ndihmojnë zhvillimin gjuhësorë në shtëpi dhe që Ju mund t’i përdorni janë si vijon:

  • Dilni në shëtitje dhe bisedoni për atë që shihni; 
  • Për fëmijët më të rritur, hulumtoni një temë që iu intereson atyre;
  • Përpiquni që të siguroni një shujtë familjare të përbashkët pa ndërhyrje;
  • Fikni televizorët dhe pajisjet elektronike! (në shkrimet e ardhshme do të provojmë të sjellim sqarime për arsyen e këtij veprimi);
  • Ndani 10 minuta në ditë që do t’i shfrytëzoni vetëm për t’i lexuar fëmijës suaj;
  • Rishqyrtoni ngjarjet e kaluara me fëmijën tuaj dhe pyetni çka i ka bërë të lumtur ata;
  • Zhvilloni bisedë me fëmijën tuaj për çkado që ai dëshiron të bisedoni.

Krejt në fund, intervenimi i hershëm gjuhësor ka rëndësi kritike për fëmijën që të zhvillojë shkathtësitë e komunikimit të domosdoshme për sukses në të ardhmen. Nëse keni shqetësime si prind, ndiqni instinktin tuaj dhe kërkoni ndihmën e nevojshme. Së shpejti edhe fëmija Juaj do të gjejë fjalët e duhura për t’iu falënderuar për këtë!

Ju lutem pëlqeni faqen tonë për më shumë:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Name *
Email *
Website